i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Strukturat institucionale për Reformën e Administratës Publike (RAP)

12-10-2017 04:51:16
Të ngjashme

 Në mbledhjen e mbajtuar me 6 tetor 2017, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin nr. 07/07 me të cilin ka miratuar strukturat institucionale përgjegjëse për fusha të caktuara në kuadër të reformës së administratës publike. Ky vendim ka shfuqizuar dy vendime të Qeverisë të vitit 2015 me anë të të cilëve ishte miratuar ndaras struktura për tërë menaxhimin e reformës së administratës publike: vendimi 05/09 për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe vendimi 09/13 për organizimin dhe funksionimin e strukturave tjera për zbatimin e kornizës strategjike për reformën e adminisratës publike. Sipas vendimit të fundit, këto struktura institucionale janë: Këshilli i Ministrave, zyra e Kryeministrit (ZKM), Ministria e Administratës Publike (MAP), Ministria e Financave (MF) dhe Departamenti për Menaxhimin e Reformës së Administratës Publike (DMRAP).

Këto struktura kanë role të ndryshme nga njëra tjetra dhe në tërësinë e tyre përbëjnë strukturat për tërë menaxhimin e reformës së administratës publike. Këshilli Ministror ka rol për të drejtuar dhe mbikëqyrë në nivel politik të gjtha çështjet që ndërlidhen me reformën e administratës publike. ZKM, MAP dhe MF janë përgjegjëse për zbatimin e aktiviteteve të kornizës strategjike të reformës së administratës publike dhe të tri institucionet i kanë fushat e ndara të punës sipas strategjive që edhe e përbëjnë këtë kornizë. ZKM përgjegjëse për zhvillimin dhe koordinimin e politikave dhe legjislacionit, MAP përgjegjëse për shërbimin civil, burimet njerëzore, ofrimin e shërbimeve publike dhe llogaridhënien dhe MF përgjegjëse për menaxhimin e financave publike.

Për të lehësuar koordinimin në mes të tri institucioneve, Sekretarët e Përgjithshëm kanë rolin e Koordinatorëve dhe raportojnë mbi aktivitetet që i mbulojnë në Këshillin e Ministrave. Strukturë tjetër është DMRAP në MAP i cili është përgjegjës për koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të dokumenteve strategjike dhe i raporton kryesuesit të Këshillit të Ministrave, në këtë rast Ministrit të MAP. Një prej detyrave me rëndësi të DMRAP është përgatitja e raporteve vjetore mbi zbatimin e kornizës strategjike të reformës së adminstratës publike, dhe në bazë të të gjeturave, i rekomandon Këshillit të Ministrave përditësimin e strategjive të caktuara që përbëjnë kornizën strategjike. DMRAP ka edhe rolin e Sekretariatit të Këshillit të Ministrave.

Kornizën strategjike për reformën e administratës publike e përbëjnë katër strategji: 1) Strategjia për Përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave 2017-2021, 2) Strategjia për Rregullim më të Mirë 2017-2021, 3) Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike 2016-2020 dhe 4) Strategjia për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike 2016-2020. Këto katër strategji bien nën tri institucione të përmendura më lartë: ZKM për strategjitë 1 dhe 2, MAP për strategjinë 3 dhe MF për strategjinë 4. Me kompletimin e kornizës strategjike dhe strukturave me rolet dhe përgjegjësitë për menaxhimin në tërësi të reformës së administratës publike, prioritet dhe sfidë mbetet zbatimi i tyre. Në bazë të raporteve të para monitoruese mbi zbatimin e tyre dhe bazuar në të gjeturat e raportit të vendit të Komisionit Evropian për 2016, zbatimi i tyre ka pasur vonesa të theksuara deri tani. 

Emëri
Email adresa
Komenti
 
Kerko
Publikimet
Kontakti

a:     Rr. Sejdi Kryeziu, Blloku 4, Kati 2
        10000 Prishtinë, Kosovë

t:     +381 38 609 339

e:     info@institutigap.org

u:     www.institutigap.org

Instituti GAP

©2010-2015 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton