i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Funksionimi dhe Organizimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore

31-03-2017 07:18:00
Të ngjashme

 Skemat publike për garanci të kredive konsiderohen si mekanizma të dobishme për rritjen e qasjes në financa për kategori të caktuara të huamarrësve, por suksesi dhe qëndrueshmëria financiare e tyre varen nga hartimi dhe implementimi adekuat i planit të funksionimit. Në një analizë të Institutit GAP publikuar në shtator 2015 mbi idenë e themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) janë shtjelluar modelet e menaxhimit dhe efektiviteti i skemave të tilla. Sipas kësaj analize skemat e garancive kreditore nuk rrisin nivelin e kredive jo performuese, por në të njëjtën kohë suksesi i tyre është i pjesërishëm.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) është themeluar me ndihmë të programit Fuqizimi i Mbështetjes së Kredive të USAID, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  (MTI) si dhe bazuar në Ligjin nr. 05/L-057 për themelimin e FKGK-së , i cili ka hyrë në fuqi më 23 janar 2016. FKGK synon zvogëlimin e rrezikut në dhënien e kredive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) që kanë më pak se 250 punëtorë, janë të pajisur me arkë fiskale dhe të regjistruar në ARBK, duke garantuar deri në 50% të kredive të dhëna për këto kategori ndërmarrjesh nga institucionet financiare të regjistruara në fond. FKGK-ja ofron ndihmë për NMVM të cilat mund të mos kualifikohen për marrje të kredisë pa garanci për shkak të mungesës së kolateralit të nevojshëm apo historisë kreditore edhe kur ato të rezultojnë të kenë një plan dhe strategji biznesore të qëndrueshme. 

Bazuar në arritjet gjysmake të skemës së ngjashme të Kosovës, gjegjësisht të Autoritetit Kreditor për Zhvillim (AKZH) që synonte rritjen e qasjes në financa të ndërmarrjeve të sektorit bujqësor dhe uljen e normave të interesit për 10% të kredive përkatëse, Instituti GAP rekomandoi që FKGK të hapet për sektorin privat si aksionarë, t’i përcaktojë tarifat e komisioneve dhe përqindjen e kolateralit për institucionet financiare me ligj si dhe që të punohet paralelisht në fuqizimin e sistemit ligjor që rregullon marrjen e borxheve.

Përkundër rekomandimeve të Institutit GAP, ligji parasheh që tarifat të përcaktohen në marrëveshje me institucionet financiare të regjistruara  si dhe kërkesat për kolateral mbeten nën zgjedhjen e institucionit që lëshon kredinë. Për sa i përket gjenerimit të kapitalit të FKGK-së, ai mund të përbëhet nga tarifat e mbledhura, investimet në tregjet

financiare, fondet e ndara nga qeveria si dhe donacione nga organizata ndërkombëtare, por jo nga investimi i aksionarëve privatë në fond.

Kapitali dhe përbërja e FKGK-së         

FKGK ka kapital prej 7.3 milionë eurosh i cili pritet të rritet edhe për 3 milionë euro me ndihmë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) si dhe Institucioni për Kredi të Rindërtimit (KfW). Personeli i FKGK-së përbëhet prej 11 punëtorëve ku hyn edhe personeli mbështetës nga programi i USAID-it. Në këtë përbërje të FKGK-së bëjnë pjesë bordi i drejtorëve  i cili përbëhet nga shtatë anëtarë, një anëtar ex-officio i zgjedhur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, një anëtar ex-officio i zgjedhur nga Ministria e Financave, katër anëtarë të zgjedhur nga donatorët, si dhe drejtori menaxhues. Po ashtu FKGK ka një menaxher të lartë të riskut, këshilltare të lartë ligjore, specialiste të lartë të garancive si dhe menaxhere të lartë të financave.

Kualifikimi i Institucioneve të Regjistruara Financiare dhe NMVM-ve

Institucionet financiare që mund të regjistrohen në FKGK janë bankat, institucionet financiare jo-bankare , si dhe institucionet mikro-financiare të regjistruara dhe të mbikëqyrura nga Banka Qendrore e Kosovës. Deri më tani, FKGK ka nënshkruar marrëveshje për garantim të kredive me gjashtë banka që operojnë në Kosovë: Banka Ekonomike, Banka për Biznes, NLB Banka, Pro Credit Bank, Raiffeisen Bank dhe TEB Bank.

FKGK synon që jo vetëm të ndihmojë NMVM të kenë qasje më të lehtë në financa, të rrisin produktivitetin dhe njëkohësisht numrin e të punësuarve, por në të njejtën kohë edhe të ndihmojnë bankat në shterrjen e keshit të tepruar. Norma e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të jetë e lartë me 41.5% duke kaluar normën minimale të kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për 16.5 pikë përqindjeje.

Megjithatë, në gjysmën e parë të vitit 2016 sektori bankar shënoi profit prej 37.7 milionë eurosh duke u shoqëruar me ekspozim të ulët ndaj rrezikut. Në qershor 2016, tri bankat me pjesëmarrjen më të madhe në treg shënuan rritje vjetore të kredive prej 4.4%, ndërsa bankat me pjesëmarrje më të vogël në treg shënuan rritje prej 16.1%.

Norma e kredive jo performuese ka qenë e ulët vazhdimisht gjatë viteve të fundit, por shënoi një rënie edhe gjatë vitit 2016. Kjo normë në raport me kreditë në total është më e ulëta që nga viti 2010 në Kosovë dhe më e ulëta në rajon ku norma mesatare e kredive jo performuese  është 14.9%. Prandaj, suksesi i rritjes së kredive dhe indirekt të numrit të punëtorëve do të mund t’i atribuohet vetëm pjesërisht FKGK-së.

Përcaktimi i Limitive të Garancive dhe Procedurat për Garantim të Kredive

FKGK ka hartuar politikën për caktimin e limiteve të garancive mbi të cilat hartohen edhe marrëveshjet me institucionet e regjistruara financiare . Hapi i parë që FKGK ndërmerr është vlerësimi i institucionit financiar të regjistruar për të parë performancën, pjesëmarrjen në treg, vullnetin për rritjen e kredive për kategorinë NMVM dhe perfomancën e kredive në të gjitha aspektet. Pas kësaj përcaktohen kushtet e marrëveshjeve të cilat për momentin janë të njëjta përpos limitit të alokuar të garancionit i cili vendoset në bazë të madhësisë së bankës dhe pjesëmarrjes në treg.

Limiti i garancive për institucionet e regjistruara financiare  që janë banka do të jetë një milion euro, por pas rishikimit mund të ndryshojë varësisht nga indikatorët për matjen e suksesit. Për rishikimin e garancive pas përfundimit të marrëveshjeve fillestare, më së shumti peshë do t"i ipet performancës së protofolit me ç"rast pragu i limitit mund të rritet apo zvogëlohet varësisht sa është shfrytëzuar garancioni, sa ka qenë norma e kredive jo performuese  dhe sa kanë pasur humbje. Përveç kësaj edhe kushtet e para për vlerësim të institucioneve të regjistruara financiare do të luajnë rol, por më të vogël.

Sa i përket tarifave të garancisë, normat e njëjta aplikohen për të gjitha institucionet e regjistruara financiare. Tarifa vjetore paguhet mbi kredinë e vënë nën garanci derisa kredia të jetë kthyer, ose  deri sa të jetë parashtruar kërkesa për rimbursim të saj cilado datë të jetë më e hershme.  Ndërkaq tarifat për kreditë nën garanci paguhen në dy periudha: 2% e kryegjësë së kredisë të garantuar atëherë kur ajo kredi vihet nën garanci për të mbuluar vitin e parë dhe pastaj 2% të kryegjësë së mbetur të së njejtës kredi në çdo përvjetor.

Dhënia dhe Garantimi i Kredive

Siç është e paraparë me ligj, FKGK garanton deri më 50% të kryegjësë së kredive të dhëna me garanci, por kjo normë varet nga kërkesa e bankës. FKGK nuk ka kontakt direkt me ndërmarrjet për të cilat garanton, sepse ajo pjesë bartet nga bankat me procedurat e zakonshme të kredidhënies.

Nëse një nga këto kredi dështon të kthehet në kohën e maturimit dhe të gjitha mënyrat për rikthim të borxhit janë shterrur, atëherë banka bën kërkesën për rimbursim tek FKGK. FKGK ka mundësi të mohojë rimbursimin nëse kredia nuk i plotëson kriteret e përcaktuara me marrëveshje, por në të kundërtën paguan pjesën e garantuar të kryegjesë së kredisë duke përjashtuar kamatat.

Statistikat e Shpërndarjes së Kredive dhe Punësimit

Në kuadër të FKGK-së, gjatë muajit dhjetor janë shpërndrarë 15 kredi për sektorin e  bujqësisë, pylltarisë dhe peshkatarisë, 21 kredi për sektorin e prodhimtarisë, 29 kredi për  tregti me shumicë dhe pakicë si dhe 21 kredi për sektorë të tjerë. Ndarja proporcionale e kredive për secilin sektor është 14 përqind, 25 përqind, 32 përqind dhe 29 përqind përkatësisht. Numri i kredive të shpërndara gjatë dhjetorit në Ferizaj ishte 7, në Gjakovë dhe Gjilan nga 8, në Mitrovicë 3, në Pejë 9, në Prishtinë 34 dhe në Prizren 17. Ndarja proporcionale e kredive për secilin rajon është 8 përqind, 9 përqind, 3 përqind, 10 përqind, 40 përqind  dhe 20 përqind  përkatësisht.

Rritja e punësimit është një ndër indikatorët e suksesit i cili matet nga bankat të cilët marrin të dhënat nga anketimi i përfituesve të kredive përmes fondit. FKGK nuk monitoron kompanitë drejtpërdrejtë dhe nuk bashkëpunon me ATK-në ende për të ndarë informata të klientëve, por është informatë e procesuar nga bankat.

Bazuar në statistikat e publikuara nga FKGK për muajin dhjetor, synimet për rritjen e punësimit nga kreditë janë arritur për mesatarisht 70.2 përqind. Këto të dhëna janë të deklaruara nga vetë bizneset.

Emëri
Email adresa
Komenti
 
Kerko
Publikimet
Kontakti

a:     Rr. Sejdi Kryeziu, Blloku 4, Kati 2
        10000 Prishtinë, Kosovë

t:     +381 38 609 339

e:     info@institutigap.org

u:     www.institutigap.org

Instituti GAP

©2010-2015 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton