i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Nuk zbatojnë Ligjin për qasje në dokumente publike, fillojnë procedurat për aprovimin e ligjit të ri

02-06-2017 07:16:00
Të ngjashme

 Në mbledhjen e parë pas mocionit të mosbesimit në Kuvend, Qeveria në largim, në mbledhjen e saj më 15 maj 2017, aprovoi Koncept dokumentin për qasje në dokumente publike. Kështu edhe zyrtarisht kanë filluar procedurat për aprovimin e ligjit të ri, pas dy ligjeve të mëhershme: Ligjin për qasje në dokumente zyrtare, i cili ishte në fuqi nga viti 2003 deri më 2010, dhe Ligji për qasje në dokumenti publike, i cili u aprovua më 2010 dhe është ende në fuqi.

Përkundër asaj se Ligji për qasje në dokumente publike e avancoi bazën ligjore sa i përket qasjes në informata, duke e shkurtuar kohën e përgjigjes së institucioneve nga 15 ditë pune në shtatë ditë kalendarike, caktoi personat/njësitë përgjegjëse dhe parashikon dënime të zyrtarëve, ligji në masë të madhe mbeti i pazbatueshëm. Mos zbatueshmëria e ligjit më shumë ka të bëj me neglizhencën e institucioneve se sa me problemet përmbajtësore me ligjin. Padia e Institutit GAP kundrejt Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik mori më shumë se katër vite për tu trajtuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Padia e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ndaj Zyrës së Kryeministrit, përkundër asaj se u aprovua nga gjykata, kurrë nuk u respektua nga Zyra e Kryeministrit.

Tash, Zyra e Kryeministrit e cila nuk respekton vendimet e gjykatave dhe Ligjin për qasje në dokumente publike, ka filluar procedurat për ndryshimin e tij. Përkundër asaj se Ligji për qasje në dokumente publike ka hapësirë për përmirësime, as ligji i ri nuk do të arrij të lehtësoj qasjen në dokumente zyrtare në rastet kur nuk zbatohen aktgjykimet e gjykatave.

Në hartimin e Koncept dokumentit për qasje në dokumente publike, Zyra e Kryeministrit është konsultuar edhe me dy ekspertë slloven të Komisionerit Slloven të Informacionit, të cilët kanë sugjeruar ndryshime në ligjin aktual, dy kryesoret:

- Zyrtarët për informim të kenë autoritet vendimmarrës për kërkesat në qasje në dokumente publike;

- Ligji i ri duhet të përcaktoj një trupë mbikëqyrëse, duke fuqizuar Avokatin e Popullit ose duke caktuar një institucion të ri;

Koncept dokumenti parasheh disa objektiva, si:

- Përcaktimi i shkallës së dytë dhe të tretë për realizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike;

- Publikimi në mënyrë proaktive të informatave në uebsajte zyrtare;

- Promovimi i qeverisjes së hapur, mbajtja e mbledhjeve të hapura dhe publikimi i dokumenteve që janë duke u hartuar;

- Bërja e dokumenteve publike të qasshme edhe për përdorim nga bizneset;

- Bërja e informatave publike në një uebsajt të vetëm;

- Shpjegime më të detajuara për rastet e refuzimeve të kërkesave;

- Të dhëna të sakta dhe të përditësuara.

Siç mund të shihet nga këto objektiva, ligji i ri apo ndryshimi i ligjit aktual nuk pritet që të shtrëngoj institucionet për të rritur përgjegjshmërinë ndaj publikut dhe për t’iu përgjigjur kërkesave për qasje në dokumente zyrtare. Të gjitha këto objektiva janë objektiva jo shtrënguese dhe sërish u lihet hapësirë zyrtarëve dhe institucioneve që të mos përgjigjen në kërkesa për qasje në dokumente.

Emëri
Email adresa
Komenti
 
Kerko
Publikimet
Kontakti

a:     Rr. Sejdi Kryeziu, Blloku 4, Kati 2
        10000 Prishtinë, Kosovë

t:     +381 38 609 339

e:     info@institutigap.org

u:     www.institutigap.org

Instituti GAP

©2010-2015 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton