i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Atëherë kur mos zbatimi i ligjeve dëmton shëndetin

31-07-2015 08:05:21
Deri në korrik të këtij viti, Kosova ka në fuqi rreth 380 ligje. Kuvendi ka arrit të aprovoj edhe ligj për ansamblin “Shota”, ligj për akuakulturën apo edhe ligje që ndalojnë operacionet plastike të kafshëve!
 
Pjesa më e madhe e ligjeve në fuqi pësojnë plotësim-ndryshime të shpeshta. Madje, mund të gjenden ligje të cilat plotësohen dhe ndryshohen deri në tri herë dhe materia e ligjit mbetet e shpërndarë në së paku katër ligje. Sipas hulumtimeve të Institutit GAP, jetëgjatësia mesatare e një ligji në Kosovë është 2.7 vite.
 
Ekzistojnë ligje të cilat pjesërisht janë të shfuqizuara e pjesërisht në fuqi. Për të kontribuar edhe më tej në “ndotjen ligjore” ekzistojnë edhe mbi 1.600 akte nënligjore (udhëzime administrative e rregullore), apo mesatarisht rreth 4.3 akte nënligjore për një ligj.
 
Krejt këto akte ligjore, duhet zbatuar nga një administratë shtetërore e cila nuk është në nivelin e profesionalizmit për të zbatuar ligje të cilat janë të standardeve evropiane.
 
Një numër i madh i këtyre 380 ligjeve e mbi 1.600 akteve nënligjore mbeten të pa zbatuara. Fokusi i Qeverisë së re është ndryshimi (sërish) i ligjeve kryesore, duke i kushtuar pak rëndësi ngritjes së kapaciteteve të trupave ekzekutive përgjegjëse për zbatimin e ligjeve.
 
Në vijim, do të rendis disa shembuj, ku jeta e qytetarëve të Kosovës do të ishte dukshëm më e mirë, nëse vetëm zbatohen ligjet në fuqi:
 
 

Lëmosha në rrugë

 
Shumica nga ju që lexoni këta rreshta, ju ka rënë të bezdiseni nga lypsarët e shumtë në kryeqytet dhe qytete tjera. Por pak nga ju ndoshta e dini së që nga viti 2009 ekziston Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike, i cili ndalon lëmoshën në vende publike. Madje ajo çka është më paradoksale: kushdo që zihet duke kërkuar lëmoshë, dënohet me shumën nga 30 deri 500 euro!
 
 

Sanimi i rrugëve

 
Pothuajse për çdo vit, rrugët lokale dhe magjistrale sanohen nga kompanitë e angazhuara prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave. Sanimi i rrugëve zgjat me javë, e ndoshta edhe me muaj. Zakonisht, kompanitë përgjegjëse për sanimin e rrugëve, fillimisht bëjnë prerjen e asfaltit, e pas disa ditëve, javëve apo edhe muajve, kthehen dhe mbushin ato gropa me asfalt. Por në tërë këtë proces, nuk vendoset as edhe një shenjë e vetme paralajmëruese, duke rrezikuar sigurinë në komunikacion dhe shpeshherë duke shkaktuar dëme materiale në automjete. E pikërisht për të evituar këso problemesh, që nga 2007 është në fuqi Ligji për Rrugët, i cili parasheh kritere të qarta për vendosjen e shenjave për punimet në rrugë, por i cili nuk zbatohet në masë të madhe.
  
 

Siguria në komunikacion

 
Ju kujtohet fushata e Policisë së Kosovës “9 pikë dhe shkoj leja”? Më 2008 u aprovua Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor i cili parasheh që përveç dënimeve, të aplikohen edhe pikët negative, varësisht nga kundërvajtja. Tani e shtatë vite, sipas informatave të Policisë, vetëm në një rast ka ndodhur që ti hiqen pikët një shoferi. Aksidentet në komunikacion janë gjithnjë e më të larta. Shkelësit e rregullave të komunikacionin zakonisht janë persona të cilët gjobiten më shumë se një herë, por në mungesë të aplikimit të pikëve negative, ata nuk rrezikohen që t’u merret leja, por vazhdojnë të rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.
 
 

Siguria e ushqimit

 
Nga viti 2009 është në fuqi Ligji për ushqimin, i cili ndër të tjera parasheh edhe kriteret e qartë për shtimin e aditivëve në ushqim dhe masat higjienike që duhet të aplikohen në prodhuesit dhe shitësit e ushqimit. Por, si para, ashtu edhe pas hyrjes në fuqi, qytetarët vazhdojnë të blejnë bukë të pakontrolluar për aditivët e aplikuar. Po ashtu, kur ju ka ndodhur që të bleni bukë e cila u është shërbyer nga dikush i cili vendos dorëzat higjienike, ashtu siç kërkohet me ligj? Në mungesë të zbatimit të Ligjit për ushqimin dhe Ligjit për pasurimin e miellit, qytetarëve të Kosovës i shitet miell i destinuar për kafshë dhe askush nuk jep përgjegjësi ligjore.
 
 

Mashtrimi me çmime të produkteve

 
Një pjesë të atyre që lexojnë këta rreshta, me siguri ju ka ndodhur që me rastin e blerjeve në markete, çmimi i artikullit tek arka ka qenë më i lartë se ai i reklamuar në rafte. Ju nuk e keni parë edhe aq të arsyeshme që të ankoheni tek Njësia për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të MTI ngase lëvizja në çmim ka qenë e ulët dhe nuk keni dëshiruar të humbni kohë (ose edhe nuk e keni ditur se ekziston një adresë ku mund të ankoheni). Por për pronarin e biznesit, i cili mund të ketë me mijëra konsumatorë në ditë, ky mashtrim në çmime bën diferencë të madhe në fitim. Që nga 2012 është në fuqi Ligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit. Përkundër shumë ankesave të raportuara nëpër media, Njësia për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk ka marr masa për dënimin e atyre bizneseve që mashtrojnë me çmime apo edhe me kualitetin e mallrave që shiten.
 
 

Mbrojtja nga zhurma

 
Qytetarët e Kosovës gjatë 24 orëve i nënshtrohen llojeve të ndryshme të zhurmave: zhurma që vien nga mjetet motorike, lokalet afariste, etj. Që nga viti 2008 është në fuqi Ligji për Mbrojtjen nga Zhurma, i cili definon qartë kohën dhe nivelin e lejuar të zhurmës. Ligji parasheh gjoba nga 500 deri 10.000 euro për ata që tejkalojnë nivelet e lejuara të zhurmës. Sa herë ju ka ndodhur që para këmbëve të juaja të kaloj ndonjë mjet motorik, zhurma e të cilit ju fut dridhmat dhe kjo duket normale edhe në sytë e policisë nëse ata qëllojnë afër? Ekzistojnë lagje të tëra në kryeqytet dhe zona tjera urbane të cilat gjatë sezonit të verës nuk mund të flenë rahat nga zhurma e objekteve afariste. Sipas këtij ligji, Qeveria dhe komunat duhet të hartojnë harta për identifikimin e burimeve të zhurmave. Vë bast se mbi 90% e zyrtarëve publik në Qeveri e komuna nuk janë fare në dijeni të një obligimi të tillë ligjorë. Përderisa hartimi i këtyre hartave nga gjithë komunat ndoshta është kërkesë e tepruar administrative, zbatimi i neneve tjera nga ky ligj është nevojë jetike për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
 
 

Cilësia e Ajrit

 
Më 2010 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja (pas atij të pazbatuarit të 2007). Ky ligj parasheh masa të përhershme për monitorimin e ajrit, të dhëna të cilat duhet të publikohen vazhdimisht nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Por, raporti i fundit i publikuar është ai i 2012. Në tri vitet e fundit nuk ka ndonjë raport të publikuar. Prodhuesit më të mëdhenj industrial tejkalojnë normat e emetimit të gazrave, por Ministria ka shqiptuar vetëm dy dënime për ndotësit më të mëdhenj, të cilët edhe pas dënimeve vazhdojnë të ndotin ambientin përtej kritereve të parapara me ligj. E qytetarët kosovarë vazhdojnë të frymojnë ajrin më të ndotur në Evropën Juglindore.
 
 

Emetimi i gazrave nga automjetet

 
Po me këtë ligj (dhe me udhëzimin administrativ që e shoqëron atë), parashihet se me rastin e kontrollit të automjeteve, qendrat për kontrollimin e automjeteve duhet të masin emetimin e gazrave. Asnjëherë, askush, nuk i është nënshtruar kontrollit të automjetit për emetim të gazrave. Në rast se do të respektohej ky ligj, mbi gjysma e automjeteve që janë në qarkullim në Kosovë nuk do të duhej të lejoheshin të dalin në rrugë. Në mungesë të zbatimit të këtij ligji, qytetarët ngulfaten nga tymi i automjeteve të vjetra, të cilat janë ndotësit më të mëdhenj në vend.
 
 

Sigurimi shëndetësor

 
Janë bërë më shumë se një vit nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Por edhe pas një viti, ligji mbetet i publikuar në Gazetën Zyrtare, por pa zbatim në praktikë.
 
 

Pirja e duhanit

 
Ligji më i mediatizuar, sa i përket mbrojtës së shëndetit të qytetarëve, është Ligji për Duhanin. Ky ligj është në fuqi që nga 2008. Përkundër asaj se ka arritur që të respektohet në disa lokale hotelieri, jashtë qytetit të Prishtinës lokalet afariste vazhdojnë të mos e respektojnë këtë ligj edhe më tutje.
Këto dhe shumë ligje të tjera, në rast se do zbatoheshin, do ti ofronin qytetarëve së paku siguri më të madhe nga produktet ushqimore, shëndet më të mirë, ambient më të pastër, mbrojtje më të madhe nga zhurma, siguri më të madhe.
 
Në shtatë vitet e fundit në sektorin publik pagat janë rritur për rreth 100%. Por kjo rritje e pagave nuk është shoqëruar edhe me rritje të efektivitetit të administratës shtetërore. Mos zbatimi i këtyre ligjeve shkel rëndë të drejtat e qytetarëve për një jetë më të qetë dhe mbrojtje shëndetësore. Duke mos marr masa për zbatimin e këtyre ligjeve, shteti merr përgjegjësinë kryesore për pasojat e shumta që shkaktohen në shëndetin e qytetarëve. 
Share |
Emëri
Email adresa
Komenti
 
Instituti GAP

©2010-2015 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton