i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Mos pyet!

17-06-2011 13:18:55

Kosova - vendi ku qytetarët nuk kanë të drejtë të dinë emrin e zëvendësiministrave dhe ku informata kushton.

 

Ligji kosovar për qasje në dokumente publike dhe parimet kushtetuese për lirinë e qasjes në informata zyrtare, nuk dallojnë shumë nga ligjet e tilla që mund të gjenden në vendet me traditë të gjatë demokratike. Mirëpo, ajo çka dallon është praktika.

 

SHBA

Javën që lamë pas, shteti amerikan i Alaskas publikoi me mijëra dokumente. Për të qenë më të saktë, u publikuan 24.000 faqe e-mailash, të cilat i kishte shkëmbyer Sarah Palin gjatë kohës së saj si guvernatore e Alaskas. Të gjithë këta e-maila ishin shkëmbyer gjatë periudhës dhjetor 2006 – shtator 2008.

Lirimi i dokumenteve u bë pas kërkesave të medieve, duke u bazuar në ligjin për të dhënat publike. Disa nga e-mailat e publikuar kishin të bënin me jetën e saj personale, si për shembull dysheku për rrezitje që kishte porositur për të blerë, biletat për ndeshje basketbolli, etj. Mirëpo, çdo komunikim i bërë me e-mail zyrtar është pronë publike, dhe në bazë të ligjeve amerikane i qasshëm për të gjithë.

 

Britania e Madhe

Vitin e kaluar televizioni publik britanik BBC, duke u bazuar në ligjin anglez për lirinë e qasjes në informacion publik, parashtroi kërkesë për qasje në korrespondencën me e-maila që zyrtarët shtetërorë angleze dhe Federata Angleze e Futbollit kishin shkëmbyer me të gjithë aktorët relevantë gjatë lobimit për të fituar të drejtën e organizimit të kampionatit botëror të futbollit më 2018.

E-mailat paraqitnin në tërësi aktivitetet lobuese të anglezëve për të fituar të drejtën e organizimit të këtij evenimenti botëror. E-mailat e publikuar tregonin se si zyrtarët shtetërorë kishin përdorur lidhjet personale të familjes mbretërore (Dukës së Yorkut) me familjen mbretërore të Katarit, për të krijuar një mbështetje reciproke gjatë votimit në FIFA.

Një e-mail tjetër pasqyron akuzat e anglezëve ndaj Spanjës dhe Portugalisë, për shkak se këto dy vende po krijonin aleancë për të votuar bllok në FIFA. E tërë kjo u bë e ditur për publikun e gjerë falë ligjit për lirinë e qasjes në informatat publike. Pak ditë para publikimit të korrespondencës me e-maila, Anglia nuk e fitoi të drejtën e organizimit të kampionatit botëror në futboll.

 

Kosovë

Duke u bazuar në të drejtën kushtetuese dhe ligjore për të pasur qasje në informatat publike, muajin e kaluar instituti ku unë punoj dorëzoi kërkesë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe kërkoi qasje në informatat zyrtare rreth listës së bizneseve të regjistruara në të gjitha komunat e Kosovës.

Kjo kërkesë na kushtoi 3 euro dhe në fund morëm një dokument njëfaqësh të formatit A4. Duke shfrytëzuar të drejtën për qasje në informacionin zyrtar, media kërkuan nga “zëdhënësi” i Qeverisë emrat e zëvendësministrave të Qeverisë së Kosovës. Përgjigjja që ata morën ishte se “me rëndësi është që ata kanë filluar punën, për emrat do të njoftoheni më vonë”.

Dy vite më parë personalisht kisha dorëzuar një kërkesë në zyrën e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës me të cilën kërkoja të dhëna për shpenzimet që bën ky institucion përgjatë një viti për të printuar dhe shumëzuar dokumente. Përgjigja që mora ishte se kërkesa që kisha parashtruar ishte “një nga më absurdet”.

Për më shumë se një vit deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe shoqëria civile kërkojnë qasje në kontratën shumëmilionëshe për ndërtimin e autostradës. Kontrata jo që nuk publikohet, por edhe rrjedhja e saj në publik klasifikohet si tradhti kombëtare. Deputetët dhe qytetarët e Kosovës kërkojnë publikimin e platformës së bisedimeve Kosovë-Serbi, përgjigja që marrin nga kryenegociatorja në këto bisedime është se “ata duhet të kenë besim tek vlerat e saja të dëshmuara patriotike”.

 

Është viti 2011. E-maili përdoret edhe në Kosovë. Por ajo Çka na dallon është se qeveria në Kosovë nuk bën publikë emrat e zëvendësministrave e lëre më përmbajtjen e një e-maili të shkëmbyer zyrtarisht. Si mund të klasifikohet një shoqëri demokratike, kur kontratat milionëshe mbahen fshehur, vendimet dhe procesverbalet nuk publikohen, madje, emrat e atyre që na qeverisin janë sekret shtetëror?

Gjysmë shekulli më parë Xhon Kenedi u shpreh se “...një shtet i cili frikohet të lejojë qytetarët e tij të vlerësojnë çfarë është e saktë dhe çfarë është gënjeshtër, është shtet që u frikohet njerëzve të tij”. Shumë kohë para tij, Uidrou Uilson vlerësoi se “korrupsioni lulëzon në vendet e fshehta dhe i shmanget vendeve publike, andaj sekreti është i papranueshëm”. Shumë kohë pas tij, një president tjetër amerikan, Bill Klinton, deklaroi “se kurrë nuk duhet të harrojmë se liria e informacionit është esenciale për një shoqëri demokratike”.

Informacioni në Kosovë po kushton. Kurse informacioni më i rëndësishëm nuk po bëhet publik me asnjë çmim. Një shoqëri që mbahet në injorancë, nuk mund të cilësohet shoqëri e sigurt. Një qeveri që nuk bën publike punën e saj, është qeveri që u frikësohet njerëzve të vet.

 

 

(Publikuar në gazetën "Zëri", 17.6.2011)


Share |
Emëri
Email adresa
Komenti
 
Instituti GAP

©2010-2015 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton