i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Fillimi dhe fundi i një mandati të mbaruar

07-02-2011 11:38:52

Fillimi

Ju kujtohet fillimi i mandatit qeverisës së Qeverisë Thaçi? Që në takimet e para qeveritare, Qeveria Thaçi, e përbërë nga ministrat e PDK, LDK dhe minoriteteve, mori disa vendime të cilat ngjallën simpati tek qytetarët dhe dhanë shpresë se ky mandat qeverisës do të jetë i ndryshëm nga dy të parët. Të ngopur me qeverisjen paraprake, qytetarët ishin të etur për ndryshime. Të vetëdijshëm për këtë, Qeveria së pari mori vendim që mbledhjet e kabinetit qeveritar të jenë të hapura për mediat. Pas kësaj, u morën një mori vendimesh të rëndësishme. U kthyen në rishqyrtim vendimet e Qeverisë Çeku të mara pas zgjedhjeve parlamentare. U mor vendim që automjetet zyrtare të përdoreshin vetëm për punë zyrtare. U vendos limiti i përdorimit të telefonave mobil dhe atyre roming. Objektet qeveritare duhej të zhvendoseshin nga objektet private në objekte publike. Zyrtarët e lartë qeveritar duhej të përcaktoheshin për një pagë publike, atë të deputetit ose ministrit. Dhe shumë vendime të tjera të cilat ishin të drejta dhe u vlerësuan nga publike. Mediat dhe shoqëria civile vlerësuan këto vendime, me që rast opozita hidhte akuza ndaj medieve dhe shoqërisë civile me argumentin se të gjithë ishin përkrah qeverisë.

 

Mesi

Çfarë ndodhi? Për tri vite në vazhdim, në 151 mbledhje dhe 949 vendime që pasuan janarin 2008, Qeveria bëri pikërisht të kundërtën. Statistikat buxhetore tregojnë se u shpenzua më shumë në të gjitha kategoritë, në të cilat Qeveria u mundua të vërë rregull. Në dhjetor 2009, ministrat-deputet morën retroaktivisht për dy vite edhe pagën e dytë (madje ky vendim që nga ajo kohë nuk është publikuar asnjëherë në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit). Për tri vite radhazi nuk u respektua strategjia legjislative, u miratua dhe nuk u respektua Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, u prish stabiliteti makroekonomik. Vendimet dhe mos vendimet e Qeverisë gjatë tri viteve bën që Kosova të pranoj Raporte të Progresit më negative që janë shkruar për Kosovën që nga viti 2005. Të shënojmë keq në vlerësimin e Bankës Botërore për biznes, të Transparency International për korrupsion, të Freedom House, IREX e Reporterët pa Kufij për lirinë e shprehjes. Tani, Qeveria është ajo që akuzon mediat dhe shoqërinë civile se kanë filluar një “gjueti shtrigash” ndaj saj.

 

Fundi

Mandati qeverisës përfundoj para kohe. Më 2 nëntor Kuvendi i Kosovës shkarkoi Qeverinë. Mirëpo Qeveria e shkarkuar nuk e ndërpreu punën. Ajo vazhdoi që të mar vendime, madje të një rëndësie dhe publiciteti sikurse ato të fillimit të mandatit qeveritar. Emërtoi aeroportin me emrin e heroit “Adem Jashari” dhe autostradën me emrin e presidentit të ndjerë “Ibrahim Rugova”. Por vendimet më të rëndësishme ishin rritja e pagave të punonjësve në sektorin publik. Marrja e vendimeve si Qeveri në dorëheqje ishte në kundërshtim me vet praktikën e vënë nga kjo Qeveri që në fillimin e mandatit qeveritar, kur nuk pranoi vendimet e mara nga Qeveria Çeku pas zgjedhjeve të 2007. Edhe më keq, me anë të këtyre vendimeve, vendi u zhyt në krizë buxhetore, marrëveshja me FMN është në prag të prishjes, ICO për herë të parë pas tri viteve kërcënoi se do të përdor fuqitë ekzekutive dhe krejt në fund, punonjësit publik, nuk morën rritjen e premtuar. Ky është fundi i turpshëm i një mandati që filloi premtushëm.

Këto tri faza të qeverisjes 2008-2010 më ngjajnë me titullin e filmit “The good, the bad and the ugly”: një fillim i mirë, një mes i keq dhe një fund i shëmtuar.

(Publikuar në gazetën "Koha Ditore", më 5 shkurt 2011)

Share |
Emëri
Email adresa
Komenti
 
Instituti GAP

©2010-2015 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton