i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Ku është e 97-ta?

04-10-2010 05:12:17

Më 4 dhjetor 2009, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 97. Për mbarëvajtjen e mbledhjes dhe disa nga vendimet e marra, mund të informoheni edhe në lajmin që Zyra e Kryeministrit ka publikuar në uebfaqen e saj zyrtare. Mirëpo, nëse dëshironi të shikoni të gjitha vendimet e mara në këtë mbledhje të Qeverisë së Kosovës, këto vendime nuk mund të gjenden në seksionin ku janë të vendosura të gjitha vendimet e Qeverisë.

Arsyeja përse Qeveria e Kosovës dëshiron që të fsheh vendimet nga mbledhja e 97 është se në këtë mbledhje është marrë edhe vendimi 11/97 i cili ndryshon vendimin 02/3 të datës 22 janar 2008. Më 22 janar 2008 Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që ministrat që mbajnë dy poste njëkohësish, atë të deputetit dhe anëtarit të Qeverisë, duhet që të përcaktohen për njërën nga pagat. Mirëpo, dy vite më vonë, me vendimin 11/97 Qeveria e Kosovës vendos që:

“Të gjithë të emëruarit politik qeveritar, Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat, të cilët janë edhe deputet të Republikës së Kosovës, për njërën pozitë do të marrin pagën e plotë, ndërsa për pozitën tjetër do të marrin 50% të pagës. Pagesa prej 50% të pagës të bëhet në mënyrë retroaktive nga data 1 janar 2008.”

Përderisa vendimi 02/3 i 22 janarit 2008 ishte kumtuar me jehonë të madhe në media dhe publiku i gjerë e kishte pranuar këtë vendim si shenjë e mirë për zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare, vendimi 11/97 nuk është publikuar fare që nga ajo kohë.

Për shkak se Qeveria dëshiron që këtë vendim ta mbaj fshehtë, në uebfaqe të Qeverisë nuk janë publikuar as 10 vendimet tjera që janë marrë në të njejtën mbledhje.

Mbajtja sekret e këtij vendimi lë të kuptohet se: Qeveria e Kosovës mundet kur të dojë që të shkel Ligjin për Buxhetin, duke i ndarë vetes mjete nga rezervat e Qeverisë së Kosovës; shkel Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare (Publike), duke mos publikuar vendimet nga mbledhja e 97-të; shkel parimet e qeverisjes së mirë, të përgjegjshme dhe transparente. Një akt i tillë i hap rrugën edhe shkeljeve të tjera të natyrës së ngjashme.

Vërehet një tendencë për të mos bërë të ditur vendimet e institucioneve publike kur është në pyetje rritja e pagave. Një hap të tillë kishte ndërmarrë edhe Kuvendi i Kosovës, kur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ishte marrë vendimi për rritjen e pagave për deputetët, mirëpo ky vendim nuk ishte bërë i ditur për publikun e gjerë. Edhe më tutje qytetarët nuk kanë njohuri se sa paguhen ministrat, deputetët, drejtorët e ndërmarrjeve dhe agjencioneve publike, etj., edhe pse këta individë paguhen nga Buxheti i Kosovës, mbushja e të cilit bëhet falë taksapaguesve kosovar.

Edhe pse në traditën kosovare (shqiptare) ekziston një thënie se "nuk pyetet njeri sa e ka rrogën", në rastet e këtilla kur këta zyrtarë paguhen nga taksat tona, kjo i bie që "shefi  (lexo: populli) nuk e din sa i paguan punëtorët e tij".

Pasi që Qeveria e Kosovës dëshiron të mbaj fshehtë vendimet nga mbledhja e 97, vendimet nga kjo mbledhje mund ti gjeni duke klikuar KËTU.

Share |
Emëri
Email adresa
Komenti
 
Instituti GAP

©2010-2015 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton