i vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Problemet me Monitorim

27-09-2010 00:41:20

Shoqëria demokratike karakterizohet edhe me faktin se institucionet e zgjedhura qeveritare kanë nevojë dhe lejojnë mbikëqyrjen e vazhdueshme nga agjentë jashtë qeveritar. Ndër monitoruesit më të zëshëm janë mediat dhe organizatat që përfaqësojnë shoqërinë civile. Me krijimin e institucioneve vetëqeverisëse lokale dhe qendrore më 2000 dhe 2001, paralelisht u ndërtuan dhe u përforcuan edhe mediat dhe organizatat jo qeveritare, një ndër rolet e të cilave ishte edhe monitorimi i punës së institucioneve qeveritare. Monitorimi i punës së institucioneve qeverisëse mund të bëhet vetëm në një shtet demokratikë, ku liria e të shprehurit dhe qasja në dokumente publike është e garantuar me ligj.

Shumë organizata jo qeveritare në nivel lokal monitorojnë punën e institucioneve komunale, sidomos Kuvendeve Komunale. Kurse në nivel qendror, institucioni më i monitoruar mbetet Kuvendi i Kosovës, që monitorohet nga disa organizata vendore dhe ndërkombëtare.

Duke ditur rëndësinë e vendimeve të Qeverisë, e cila vazhdimisht e ka për obligim të sjell projektligje, strategjie dhe vendime të tjera që drejtpërdrejt ndikojnë në jetën e qytetarit, Instituti GAP morri përgjegjësinë që të monitorojë mbledhjet e kabinetit qeveritarë. Kështu, Instituti GAP në janar 2009 filloi me projektin e quajtur GAP Monitor, qëllimi i të cilit ishte monitorimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës ka qenë një ndër institucionet më pak të monitoruara nga ana e shoqërisë civile. Deri atëherë, Qeveria nuk kishte ndonjë publikim të veçantë qeveritar e as nuk ekzistonte ndonjë OJQ që monitoronte vendimet e Qeverisë, kurse mediat në anën tjetër ofronin shumë pak hapësirë për shpjegimin e vendimeve të Qeverisë. Për ta  mbuluar këtë boshllëk, Instituti GAP, përmes GAP Monitorit filloi të raportojë më në detaje për të gjitha vendimet e Qeverisë. Ky publikim mujor përmblidhte jo vetëm titujt e vendimeve, por përmbante edhe analiza, historikun dhe ligjshmërinë e secilit vendim. Dhe jo vetëm kaq, GAP Monitor më pas do të përcillte çdo vendim deri në zbatim, shpesh duke raportuar edhe për problemet dhe ngecjet eventuale.

Që nga fillimi i punës sonë me GAP Monitor, jemi përballur me pengesa të shumta. Pengesa më e madhe në punën tonë është vetë Rregullorja e Punës së Qeverisë së Kosovës. Kjo rregullore, e cila është miratuar së fundi më 2007 dhe e cila, përkundër premtimeve, nuk është ndryshuar gjatë kësaj qeverisjeje, përmban disa rregulla jo demokratike dhe jo transparente.

Rregullorja e Punës së Qeverisë së Kosovës, ndër të tjera, nuk lejon publikimin e procesverbaleve të Qeverisë së Kosovës. Madje, me këtë rregullore procesverbalet e Qeverisë së Kosovës klasifikohen si dokumente konfidenciale. Në bazë të Ligjit për Klasifikimin e Informatave dhe Verifikimin e Besueshmërisë, çdo kush që bën publike një dokument të klasifikuar si konfidencial, mund të dënohet edhe me burg. Edhe pse Qeveria e Kosovës i lejon mediat që të monitorojnë nga jashtë sallës mbledhjet e Qeverisë, ku në fund të çdo mbledhjeje mediat mund të marrin një kopje të incizimit të mbledhjes së Qeverisë, megjithatë askush nuk mund t’i shoh procesverbalet e Qeverisë së Kosovës. Aq më pak qytetarët e interesuar.

Pengesë tjetër në Rregulloren e Punës së Qeverisë së Kosovës është pamundësia për mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që të jenë prezent në mbledhjet e Qeverisë së Kosovës. Ky rregull ligjore pengon një monitorim të drejtë, ngase përcjellja e mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës përmes televizionit shpeshherë censurohet nga anëtarët e Qeverisë duke mos ndezur mikrofonin gjatë bisedave të tyre.

Rregullorja e Qeverisë së Kosovës nuk definon afatin kohorë se sa kohë duhet të kalojë nga dita e marrjes së një vendimi të Qeverisë deri në ditën e publikimit apo përcjelljes në Kuvend të atyre vendimeve. Në mungesë të kësaj, gjatë këtyre viteve nuk ka ekzistuar një rregull e dërgimit të projektligjeve në Kuvend. Projektligji i cili është dërguar më së shpejti në Kuvend nga dita e miratimit të tij është ai për Qeverinë (brenda 6 ditësh), kurse projektligji që është vonuar më së shumti është ai për Prishtinën (pas 432 ditësh).

Kjo bën që qasja në dokumentet e miratuar dhe grumbullimi i informatave të jetë i vështirë. Por, edhe përkundër kësaj, GAP ka vazhduar me monitorimin e vendimeve të Qeverisë, mbledhjen e informatave dhe dokumenteve (shumë nga këto dokumente mund ti gjeni edhe në kuadër të raporteve të GAP në këtë portal), dhe monitorimin e zbatueshmërisë së vendimeve.

GAP insiston në ndryshimin e qasjes së Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera sa i përket ndryshimit të Rregullores së Punës së Qeverisë (sidomos në pikat që u cekën më sipër), publikimin me kohë të dokumenteve zyrtare dhe një bashkëpunim më të frytshëm në mes të Qeverisë dhe shoqërisë civile.

Share |
Emëri
Email adresa
Komenti
 
Instituti GAP

©2010-2015 Instituti GAP. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Site by: Frakton